Udhë e dëbortë

…I shoh akoma flokët e borës
Tek bien butë, si pambuk;
Tek mbushin udhët me këtë bardhësi -
Si vello nusesh
E shoh akoma tokën e kafenjtë tek zhduket
Përposhtë
I shoh akoma degët e rënda të pemëve
Tek përulen
Në respekt të këtyre “udhëtarëve”
Që shijojnë çdo grimë të mirësjelljes së natyrës
Dhuruar bardhësisht-
Këtë ag pranvere.

Ndërsa këta "udhëtarë" duken ndryshe...
Unë akoma i shoh ata tek vlerësojnë
Dhe kuptojnë
Dhe janë të gatshëm të udhëtojnë
Këto udhë të zjarrta
Në këtë acar të dëbortë
Këtë Mars
Të gatshëm si gjithmonë
Të lënë pas monumente gjurmësh
Ndonëse përkohësisht - :
Eshtë ritëm përparues, gjithsesi...
Ata i besojnë orientimit të tyre
Kur vendosin vetë se ku ta hedhin hapin tjetër
Pa dyshimin më të vogël
Pa frikë, e ndonëse verbazi -
Natyrshëm, gjithashtu,
Sepse udhët janë zhdukur
Diku atje, nën bardhësi
Si për të sfiduar njohurinë e tyre;
Të shohin përtej horizontit
Megjithëse s’shohin dot veç disa hapa…
Por ata prapë guxojnë -
Harta e mendjeve të tyre
I udhëheq ata ngadalë;
të  ngadaltë këta hapat e tyre
por të vendosur si fjalë trimërie...
Ata e shkurtojnë largësinë e destinacionit të tyre
Edhe pse pak nga pak
Ndërsa shtojnë ndonjë ndalesë më tepër
Në udhën e tyre
Të lexojnë shenja të njohura
Në formë pemësh shekullore -
Dëshmitaret janë ato-
Aleatë në çdo kuptim
Të çdo ëndrre: të mirë e të keqe
Që vogëlushët u munduan të tregojnë
Rreth sofrës, ndërsa hanin mëngjes…
Ndërsa të rriturit durueshëm pohuan me kokë
E më vonë menduan
« Mund të jetë e vërtetë! »
...Më tutje - kodrat
bluzat e tyre të bardha tregojnë
Dhe drejtojnë këta kalimtarë të rastit
Të afrohen më tepër
Nga ku ata shohin përfundimisht
Megjithëse mjegullisht – strehët e tyre;
Vagëllimthi dëgjojnë këmborët
Tingëllim
Në kasolle
Dhe vetëm atëherë
Ata kujtohen se kanë marshuar
Në vërraga, megjithëse të padukshme
Pagabueshmërisht ata ndoqën…
Pa vënë re
Mjekrat e tyre të parruara, të akullta
Ndërsa patën harruar etjen...
I shoh akoma…
Ndërsa përkulin kokat pas-
Dhe shohin qiellin;
I shoh tek lënë flokët e borës
Të ulen në buzët e tyre;
I shoh flokët e borës tek zhduken
Tek iu paraprijnë frymëmarrjes
Dhe shkrihen
Me shpirtrat e tyre;
I shoh frymëmarrjet e tyre tek balancohen
Dhe pigmentin alpin
Tek ju kthehet mjekrave…
E shoh akoma zjarrin e syve të tyre
Tek shrijnë dëborën e ngrirë në udhë
Deri aq larg
Sa largpamësia e tyre i lejon -
Ndërsa ngrohtësia e frymës së tyre
Arratiset avullsisht
Prej gojëve të tyre shpellare
Dhe ulet diku
S’e di se ku
Por njësohet me bardhësinë...
Pastaj i shoh tek buzëqeshin-
Pa vështruar asgjëkundi
Por me njohurinë monumentale në sy -
Dhe distancat,
Në pëllëmbët e tyre...
Pastaj i shoh të mendueshëm
Por të gjallëruar gjithashtu,
Shpatulla që tërhiqen pas
Pamojnë gjokset që ngrihen…
...Kjo trashëgimia e tyre
Është kthyer në një pushkë
Kjo jeta e tyre  
Është kthyer në një plumb
Këto ëndrrat  e tyre
Janë bërë marshime
Në udhë të dëborta...
Dhe ata lënë flokë dëbore të tjerë
Të ulen në buzët e tyre,
Dhe i lënë të zhduken prapë
Brenda tyre
Që ata të mund të përparojnë më tej
Më tutje, më afër, më afër akoma…
Pantallonat e zeza
Dhe këmishat e kuqe
Shpalosin
Modën e zjarrtë të stinës
Forcojnë krenarinë e tyre
Ndërsa i afrohen
Derës
Ata e dinë do t’ju hapet me gjithë zemër;
I shoh tek rikujtojnë formulën e trokitjes:
Një e shkurtër e vetme
Një e gjatë
Një dyshe e shkutrër -
L – ja e Morsit
Për LIRI!
I shoh akoma
Monumentet e gjurmëve të tyre në prag
Dy herë më të thella-
Ndërsa udhët e dëborta
Do të rrinë me radhë zgjuar këtë natë
Që ata të flenë sonte
Për të marshuar nesër prapë…

Monumentet do të bëjnë rojë…


Përparim 2006

Comments

Popular posts from this blog

E dua detin

Epitaf per vajzat

Epitaph for the girls