Lëndina dashurore

Alo? Kush është?
Ti? Vërtet, ti je?
Surprizë?
S’po të pyes ku e ke gjetur numrin tim!

Më kanë thënë që ti je e njëjta Hënë!
Ti e di se kush! U skuqe prush ?
S’ma merr mendja. Ç’ngjyrë ka turpi?
E ç’është turpi, në fund të fundit!

Shpjegim? Lëri shakatë!
Ti ishe e tupshme për shaka –
Nuk më vajti mendja, se
heshtja jote e atëhershme
ishte veç frikë mos plani yt tinëzar
do të dilte në shesh…

Jo! Aspak s’të kam inat…
U lëndova, patjetër…
Jo! S’ka më rëndësi aspak
Tash ti je thjesht, një affair e vjetër…

Ohej ! Mos e ngut më tej at fat
Çfarë mendon ti se është jeta?
Një njeri kurrë s’rron aq gjatë
Sa t’mësojë gjithë të vërtetat.

Aq gjatë mendjen se kam vrarë
Po që ta dija, pata etje
Pse ti ike pa një fjalë
Pa një paragraf letre…

Po e sigurtë ji ti, po
Unë jam i fortë, andaj unë fal
Por dot s’harroj, ndaj mos shpreso
Magjinë e vjetër të ringjallësh…
Tani e di, se kur ti do të dish, ti di
Jeta s’është veç një gërmë mes fjalësh…?
Ndaj do të kthehesh përsëri?

Ti je vonë! Magji e vjetër, ti je vonë!
Luledelet ritën dhe u vyshkën kaq herë
Unë i zhduka gjurmët;
Dhimbjen e varrosa me nderim nën plisa ;
Nën plisat e lëndinës sonë
Unë mbolla filiza…

S’paske qënë ti shihje ti?

Filizat janë bërë lisa, magji e vjetër ;
Ndoshta ti duhet të shkosh, dhe rri nën hije
Dhe emra ngjitu lisave, patjetër…

Po, lërmë mua
Mos m’i ngucaric kujtimet
M’i ler kujtimet të qeta në ngujim…

Sepse…

Unë nuk të dua më!
Shqip po ta them, më dëgjon?
S’të dua më!
Tani ti je thjesht një gabim i së shkuarës,
Asgjë më tepër!

Por…

Po edhe sikur të mos kesh qënë një gabim
Ti nuk mundesh më të më lëndosh
Me tezën e dashurisë së vjetër…
Jam tepër më i fortë tani
Hidhnia e dashurisë për ty më mësoi se si të harroj;

Se ti harrove shpejt…

Unë kujtova se të me harroje mua
Ti duhej të harroje vetveten…

Ide e gabuar

Ti e masakrove të shkuarën
Kur pate veç siguri të rrentë për të tashmen
Kur s’pate pikë ideje për të ardhmen

Mendjelehtë, po

Dhe unë rash pre e mendjelehtësisë tënde
Se shpejt ma mori mendjen aroma jote.

Nuk u bëra pishman
Edhe kur mësova se ti s’ishe më…

Ti harrove
Se le pas vetes hamendje, pa shpjegime
Autografin tënd në lëndinë ti shkrove…

Unë e ushqeva lëndinën tonë
Me ankthin që ti le pas -
Me dhimbjen time…

Ish e dashura ime!
C’të të solli këtyre anëve sonte?
Ti ke humbur rrugën, patjetër,

Ti po hesht?
I trembem heshtjes tënde
Unë e di!
Ti hesht kur ke bërë mend te shkosh…

Si dikur…
E mban mend?

A e mban mend?
Ooh ! Më duket si tani, taze
Pas fërshëllimës sime te lehtë -
Që sikur ti’u druhej yjeve –
Fësh-feshet e gjetheve - aromë maji
Fillonin të gjalloheshin, druheshëm
Zemra ime fillonte të hopte, gëzueshëm
“Ti më paske pritur të vija sonte”
Zemra ime i thoshte tëndes.

E mban mend?

Unë do të ikja! Më patën thirrur, larg
Ti qave.
Lotët t’i braktisën sytë –
Nuk qemë puthur akoma.

A e mban mend?

Në ditën time të fundit
Ti m’u afrove;
Sytë e tu të përlotur qenë bërë të trëndafiltë
Dora jote bëri përpara -
(Patjetër duhet ta mbash mend) -
Vetëm dyzetë e pesë gradë;
Iu lut dorës time të bënte të njëjtën gjë –

Unë t’i dhashë të dyja duart e mia
T’i më more të tërin në ngashërimin tënd
Unë të thitha në gjirin tim…

Ti i deshe duart e mia rreth vehtes
Unë të putha flokët, sytë e përlotur
Në buzë…

E mban mend?

Si u dorëzove e tëra, për një moment?
Për pak momente harruam ku ishim.

Ti ike pastaj
Ike me vrap
Në fund të korridorit ti ndalove -
Nuk deshe të të shihnin me lotë në sy
Unë nuk e kuptova, përse…

E mban mend?
Ti fillove të më sillje lajme
Dhe redeklarove dashurinë me letër

Ti mendove se unë nuk i besova dashurisë tënde?

Unë i besova asaj!
Se ti iu njësove dashurisë sime!

Ti mendove se unë do të harroja lehtë?
Ç’ zjarr fjala jote ndezi në zemrën time
Ç’emocion vargu yt shumfishoi tek unë
Ç’hare letra jote ngriti kur u bë buzagazi im?

A ke ruajtur ndonjë nga letrat e mia?

Si munde ti të harrosh!
Do ta kesh pasur të pamundur!

E mban mend?

Unë u ktheva në muajin e katërt;
Në mbrëmje vonë iu afrova vendit tonë sekret
Pas fërshëllimës sime
Ti rende tatëpjetë, drejt meje…

E mban mend?

Ti s’deshe t’ia dije më për sytë kureshtarë
Ti u shprehe për katër muajt që unë mungova
Unë u shpreha për katër muajt që të pata larg
Derisa cicërimat e zogjve të luginës sonë u ringjallën…

E mban mend?

A e mban mend ku e gjitha kjo ndodhte?
Poshtë shtëpisë tënde -
Në fund të njëqind and nëntëdhjetë e dy hapa fermë
Ndodhej një hapësirë me luledele
Plot dymbëdhjetë hapa lëndinë;
Lëndinës i vumë emrin tonë…

I tregove ndokujt ç’emër i vumë lëndinës?
S’të kujtohet emri?!
Unë nuk të besoj ty!
Ti thjesht pretendon ta kesh harruar…

« Lëndina erotike » të kujtohet?
Ti the se« erotike » ishte fjalë moderne
Mami dhe babi yt s’do të mund ta kuptonin…

E mban mend?
Patjetër e mban.

Unë akoma shijoj ëmbëlsinë e pjeshkëve të tua
Të aromës së rrushit që fshehurazi sillje tek lëndina jonë
A të ka shtrydhur kush veç meje luleshtrydhe në buzë ty?
Vuajta shumë ta hiqja nga mendja aromën tënde…

E mban mend?

Unë gjoja të takova rastësisht një pasdite Maji
Të kujtohet?
Në fakt ne kaq shpesh u takuam gjoja rastësisht…!

Derisa unë përfundimisht erdha
Ti më the se dëshira jote qe plotësuar
Dhe se unë dhe ti, ne të dy
S’do të ndaheshim më…

A e mban mend?

E festuam atë natë
Ti ngulmove momenti pati ardhur për të dy
Ty s’tu bë vonë ç’stinë qe
Unë shpejt rashë dakort me ty…
S’të kundërshtova…

Ti ngulmove, zgjate duart dhe the, “Eja”
Më pe në sy, the se pate ëndërruar shpesh
Ti pate veshur fustanin që unë pëlqeja…
Të shumëzoje me zero distancën mes nesh.

A e mban mend?

Të njësuar, derisa yjet u shuan, deri vonë -
Patjetër të kujtohet -
“Tani – ti the, - kjo është lëndina jonë…”
Në mëngjes t’i lëndinën tonë e pagëzove -
“Lëndina dashurore”

E mban mend?
A i mban mend vitet tona?
Pasditet? Mbrëmjet e vona?

Çfarë ndodhi me ty?
Në ç’përfundim arrite ti
Që mendove të zhdukeshe
Pa një “Lamtumirë!”, pa gjurmë?
E turpëruar qe?
Apo në hutim e sipër zgjodhe heshtjen?

Apo u zhduke të shihje nëse unë do të rendja pas teje
Të të gjeja, si në përralla – princi, princeshën?

Apo mendove se në fund të fundit
unë thjesht s’isha princ
Dhe shpejt do të më harroje ?

Për cilën arsye më braktise?
Për të parën? Të dytën? Apo asnjërën?

Unë kujtova se ti ishe vetëm imja -
Thjesht pata kujtuar -
Ti s’kishe qënë.

E mban mend?

A më mban mend mua?

Më mbake mend?!

Jo, e dashur, ti thjesht pretendon.

Ti mban mend vetëm hijen time
Drithërimën e natës së parë
Dhe dhimbjen
A e gjete dhimbjen të njëjtë larg meje…?

Ti mban mend vetëm praninë time
Dhe heshtjen tënde
Përse më the aq herë “Të dua!”?
Ç’do “Të dua!” që ti më the
Tani është një plagë e së shkuarës
Plagë e përtharë, por prapë një plagë…

Më thuaj! A mendon ti se një “Të dua” tani
Pas kaq kohe në harresë
Mund të kurojë tek unë mbresën e dhimbjes
Së pabesisë tënde të vjetër ?

Po qan ti?
Mos u mundo të më begenisësh mua
Nëse ti më do akoma
Ti patjetër do të kesh lexuar letrën time të fundit
Unë të ftova tek lëndina jonë
Ti s’mu përgjigje.

Unë mendova ti s’u përgjigje
Se s’ishte akoma stinë luleshtrydhesh…

Pastaj…

Kur përkundër dëshirës sime
Të urova “Jetë të lumtur”, në mungesë

Të fresketa më erdhën në mendje
Fjalët e tua kur më patën thirrur larg

Të kujtohet?
Patjetër duhet ta mbash mend

Ti u betove. Ti më the “Do të të pres”
“I dashur”
“Do të të pres, derisa të vdes”

Kur ti ike larg dhe me s’u ktheve
Unë kujtova se ti pate ndërruar jetë…
Unë u luta për shpirtin tënd
Dhe urova
« Qofsh e lumtur kudo që je »
« Më thirr nëse ke nevojë për mua »

Ti e paske dëgjuar urimin tim
Dhe me telefonove sonte.
Sonte …si dikur..

Por mos harro -  dikur ti ishe Hëna ime
Ti do të vazhdosh të rrezatosh mbi mua
Sonte …nesër mbrëma, si dikur

Unë veç të premtoj
Që gjithherë kur Hëna të puthë horizontet
Do të kujtoj
lëndinën tonë dashurore…

Ti e gjeç lumturinë
Të uroj me gjithë zemër

Unë po ruaj kujtimin tënd të parë ;
Është pa rëndësi për mua
Kujtimi yt i fundit…

Mua më intereson e ardhmja
Ne bëmë plane dikur, për të dy

A e mban mend ?

Por tash që të njoh se kush je
E ardhmja ime është pa ty…

Po e lë tash telefonin
Kjo bisedë s’ka krye e dashur-
Pa kuptim
Ti prapë mund të më thërresësh-
Shok
Ndonëse më mirë do të jetë
Të harrosh fare
Që dikur dite të dashurosh…

Natën e mire e dashur!

Pac nje nate te mire!

Por, pa mua.


Përparim 2012


Comments

Popular posts from this blog

E dua detin

Epitaf per vajzat

Epitaph for the girls