Ditë pazari


Diell, sot! E dielë. Ora gjashtë e pesëdhjetë e pesë e mëngjesit. Sapo ndalova nga një marshim njëzetë minutësh nga The Hatters Car Boot Sale ku kam lënë A & D të bëjnë shitjet. Autobusi nr 42 më tha "bye, bye!" si për inat 20 sekonda para se të arrija në stacion – semafori ma bëri me sy. Tani jam i detyruar te reflektoj për zgjimin e herët; të flas me vehte 30 minuta derisa 42-shi tjetër të mbërrijë. Provova internetin në telefon, por linja s’m’u bind. Stacioni i autobusave sot duket djelërisht i shkretuar. Përveç dy apo tre palë sy të shqetësuar; një shishe në dorë, një tjetër poshtë xhaketës – nën sqetull. Flokët e ngatërruar dhe l’odeur e trupit dhe rrobave e bëjnë presencën e tyre të dyshueshme edhe për vehten e tyre; një nga një, pa të voglën bujë, kur hodha vështrimin pas pak çastesh, ata patën avulluar!!!

Retë e rralla e dembele nxisin njëra - tjetrën drejt veri perëndimit. Avionët ndjekin luginën e Stokportit pagabueshmërisht veriperëndim - juglindje teksa humbasin lartësi ndjeshëm të ulen në kohë pesë milje më tutje; unë shpesh e krahasoj këtë me notarin kur merr frymë thellë në lartësi të trampolinës dhe zhytet head first - pasagjerët si notarët; por më pëlqen ta krahasoj afrimin e avionëve me një shpend në hapësirë që s'ka nevojë të përplasë krahët të ruajë lartësinë ndërsa velociteti e bën zbritjen të butë e të lëmueshme; dhe ajo pasthirrmë e brendshme lëruese, ajo frymëmarrje e thellë qetësuese, ato shpatulla të shtensionuara, ata muskuj të gjoksit të shtendosur...prapë në tokë!...në tokë ndjehemi të mbrojtur ne njerëzit...qielli është kurioz - hapësira e pakufinjtë blu; prandaj s’ka dyer e dritare – është akoma e pamundur për njeriun t’ju bëhet yjeve mysafir, në ëndrra të orëve të para të mëngjeseve, ndoshta shpesh; në realitet, statistikisht kuriozitet gërryes i pafundmë! ...yjet tallen me ne! Ata përdorin diellin të lozin kukafshehti, por hëna sot sikur i thoka diellit "më kap në mundesh!" me një buzëqeshje treçerekëshe të mermertë në fytyrë.
Në të djathtën time një tren gjarpëron drejt juglindjes; shpejtësinë ngadalëson se po i afrohet stacionit të Stokportit. Virgin Trains, shkruhet në anë të vagonave. Virgin,dhe , train…ju e kuptoni ç’dua të them, apo jo?

Unë jam i vetmi evropian sot në stacionin e autobusave të Stock Portit. Një grup udhëtarësh me të cilët është aparente që nuk ndajmë të njëjtën prejardhje,më mundin me raportin gjashtë me një. Kur unë ngadalë dal nga stacioni të provoj nëse valët e telefonit bëhen të gjalla, ata më hedhin një sy sa të dyshimtë aq dhe të kërshirtë - a thua unë s'pajtohem me inferioritetin tim, apo ata kanë mëdyshje për origjinat e tyre. U ndëshkova për së dyti, si për inat, kur në hundë më tundisi aroma e rëndë e Cannabis-it që nja dy pjesëtarë të grupit sapo patën pirë. Nga bishtat e cigareve ende të ndezura të hedhura kuturu në jeshilin e venitur të barit vjeshtak, sot është data 22 shtator, me mendje ende në pranverë, fjolla të bardha tymi intoksikues ngrihen shkujdesurisht lart; dhe shpërbëhen nga flladi i lehtë mëngjesor – dhjetë sekonda më vonë praninë a tyre s’ke më fakte ta mbrosh.

Është një vajzë e re në këtë grup të rinjsh, nga Afrika Qëndrore nga tiparet dhe theksi gjuhësor, ndoshta Keniane. Kjo vajzë e re më kujton dikë që pata njohur para ca viteve - s'është ajo, patjetër, përndryshe do të më thërriste si atëherë, në lartësinë e timpanit të zërit të saj, që njerëzit të kthenin kokën e ajo sikur t'iu thoshte "Pse çuditeni, pse unë kam një shok evropian?!" Pati qënë një moment vërtet dëshpërues për atë vajzë të re…Shpeshherë, javë e muaj më pas, intonacioni e zërit të saj – drithëruar nga ankthi, dobësuar nga poshtërimi, vaguar nga pashpresa – kaq herë më zgjoi nga gjumi; kaq herë ma trembi gjumin tutje – në gremina artificiale çmendurish raciste. “Ata e patën me mua. Jo me ty” qeshë munduar ta shpërbëja dhimbjen e saj. Sytë e saj, kur u ngritën prej asfaltit, takuan sytë e mi; rrallëherë ka mundësi njeriu të përjetojë në mënyrë të tillë, ndonëse të padrejtpërdrejtë, një dhimbje të këtillë që s’ka nevojë të ligjërohet; të pashprehur me fjalë. Dhimbja e saj e la autografin në tërë shprehjen e saj fizike; në çdo milimetër lëkure të asaj fytyre të kafenjtë. Unë e kuptova menjëherë se sugjerimi im e vrau atë më tepër se sharja e mëhershme e të panjohurve. Ajo e kuptoi se mua më foli emocioni para logjikës; sidoqoftë sado e madhe të ishte zemra e saj, ajo patjetër do ta ketë pasur të pamundur të pranonte një mendim të nxituar prej meje, edhe sikur faji im të qe vlerësuar si thjesht një gabim, rrëshqitje, apo lajthitje!
Çuditërisht ky grup sikur është nisur për pushime, me valixhe, por shpejt më vjen në mendje fakti se "sot është e djelë"; të dielave ka pazar; në car boot sales gjen ç’të duash – me çmim joshësisht të arsyeshëm; unë i qesh përshtatur atij tregu vetë vite më parë – tani jam bërë shitës…

Ndoshta A&D do të kenë bërë ndonjë shitje…

Comments

Popular posts from this blog

E dua detin

Epitaf per vajzat

Epitaph for the girls