Më imagjino mua

Më magjino n’ lartësit t’ Alpeve
Në dendësinë rrënthesëse të pyjeve të Pukës
Unë jam bariu që zbret kopetë nga malet
Ta kalojnë dimrin në mirëpritjen e fushës…
Imagjino gjurmët e mia në bore t’ bjeshkës
Kur vjen koha t'i urosh mirëseardhjen dimrit
Kur eshte koha t‘i urosh 'Udhë të mbarë!’vjeshtës…

… m' imagjino n' bulevard të Tiranës
Apo në gjatësinë e Aksit Jugor
M' imagjino tek vështroj Pogradecin nga Qafa e Thanës
Apo tek këndoj një labçe në Vlorë.
(Nëse iso labe s’kam mbajtur ndonjëherë-ska gajle
Unë thjesht ngre zërin dy çapa, pastaj hedh dy çapa në valle…)

Më imagjino mes vëllezërsh në Kalabri
N’ Ulqin, Preshevë, Gostivar e Prevezë…
Përveç gjuhës së njëjtë që flasim unë e ti
Unë jam tradita shqiptare në këngë, në tryezë.

Imagjino gotën time tek ngrihet lart,
Ndërsa mundohem të rrok vështrimin tënd,
Të të uroj ‘Jetë të gjatë!’

Unë jam mozaiku i dyshemesë së Butrintit të lashtë
Ashtu siç jam një kolonë në Apolloni
Unë jam Uji Ftohtë i Tepelenës tek rrjedh avashëm
Unë jam Liqejtë e Lurës, madhështi
Kisha dhe xhamia që u gremis më gjashtëdhjetë e shtatë
Ai që u vetëquajt- ateist
Sot, unë jam kisha dhe xhamia -prapë.

Unë jam kali i Skënderbeut n’ shesh t’ Prishtinës
Jam dhe mali i Çiçavicës, jam Prekaz
Unë jam Ura e Mitrovicës përmbi Ibër
Jam themeli i ç’do kulle, jam pullaz.
Unë jam ai që është e s’është në libër
Jam një mësues i papunë nga Ferrizaj…

Unë jam toka e fermerit, vresht dhe grurë
Unë jam Vau i Dejës, Vjosa dhe Drini
Bukë e ardhur taze jam, shtirë në furrë
Jam ullishtë pranë Devollit dhe Shkumbinit.
Unë jam i pasuri që s’kujtohem kush kam qënë
Jam  dhe brenga e Migjenit, jam mjerimi.

Unë jam jetimët pa njeri, pa strehë
Pa dashuri prindi, k’shillë, ngrohtësi
Unë jam pleqtë e lënë pas dore n’ harresë,
Jam nënë shtatzanë, por pa baba për f’minë.
Unë jam thinja e rrudha balli prind’rish
Jam sandale e vjetër e tim biri…

Unë jam nga Manastiri, delegatë Kongresi
Jam m’suesi q’keni pa n’Udhë t’ Shkronjave
M’ imagjinoni në Lidhjen e Prizrenit
Tuj kalëru me tufën e shqiponjave?
‘Vendi i Mirë i Laçit’ me hallet e gjithkujt, jam,
Pa diskriminim feje,  
Unë jam ‘Misteritë e Keqekollave’

Unë jam balada e vjetër që natyrshëm mbetet brezash
Kostandini dhe Doruntina
Komshiu i mirë dhe i keq, me të bardha e të zeza
Se kur shtrydh veten s’pikoj vetëm mrekullina.

Çamarroku jam, që kushon dërgoi t’i thoshte gjyshes
Se polli dashi, (sa si ra pika qyqes.)
Unë jam studenti Preshevar me diplomë
Por edhe unë jam i papunë momentalisht
Se shkiejtë s’përtypin dot epërsinë tonë
Unë jam piramidë kufiri pa pikë kuptimi
Ngulur në dhé si thikë në shpinën time
E mezi po pres të më shkulni nga vendi
Dhe të më rindërtoni madhor
Në centimertin tim të fundit verior...

Unë jam pluralizm shqiptar i brishtë dhe i ri
Ndaj s’më thërresin ende të rritur
Në fakt unë jam akoma larg nga ‘disi’
Se madhëria s’bëhet thjesht patritur.
Unë jam dikush prej jush-here nervoz, here i qete;
njeri i ngeshëm...

Perparim 2008

Comments

Popular posts from this blog

E dua detin

Epitaf per vajzat

Epitaph for the girls