Një ditë pranvere

Unë desha të ruaja disa prej mendimeve të mia, disa ndjenja të miat. Në një ditar. Gjithmonë pata menduar se në gjë e tillë është e lehtë, por mësova se është e vështirë, gjithashtu. Sepse jeta e dikujt s’është vetëm një ditë. Sidoqoftë unë vetëm për një ditë po ju rrëfej. Ose më mirë, për një çast. Ose më saktë, për një kornizë të vogël kohe mbushur me pasigurinë e të qënit. Një foshnjë me fytyrë të gjakosur. Pa kofshë. Pa këmbë. E gjymtuar. Një shpirt mes shtazësh. Në mëshirë shtazësh. Në një qytet në flake.
Një komb nën bajoneta armësh, gryka topash e gjuhë flakësh. Në një çast, dekada padrejtësie dhe tmerri. Tmerr dhe vdekje në një ditë pranvere.
Pranvera është supozuar të jetë stina e luleve, por këtë pranverë fëmijët i kanë harruar lulet. Siç kanë harruar lodrat. Siç kanë harruar ditët pa krisma armësh. Por pa harruar moshataren me fytyrë të përgjakur. Moshataren që s’do munden ta shohin më. Moshatarja që do t’ju dalë në ëndërr. E përgjakur. Dhe ata s’do munden të flenë më gjumin e qetë si dikur. Nga ëndrrat.
E bëj dorën grusht. Të dyja duart. I ngrej lart, por s’kam kë të gjuaj.
Figura televizive më marramend. Ekrani përcjell dhimbje të pamonitoruar. Shpirtra të pakallur. Shpirtra gjysmë të kallur. Shpirtra të kallur. Dhe unë s’mund të bëj më shumë, veçse të shpresoj dhimbja ndalon.
Në një çast m’u kujtuan vargjet e një poeti: - “Po vjen një ditë e re që në shpresa të bardha rritet / gjumin tone të gjatë prej syve me na tret / po vjen ngadhënjyese një ditë mbi dhe”
Shpresa, këtë popull të urtë e bën të mbijetojë.
Drita do bjerë mbi fytyrat e të rënëve, dhe ditë e bardhë do të bëhet për të mbijetuarit. Dhe askush s’do guxojë të harrojë atë qytet në flakë. Atë shpirt mes shtazësh. Atë foshnjë me fytyrë të gjakosur.
Këto s’mund të jenë vetëm vargje ditari. Historia do të shkruhet përsëri. Do të rishkruhet me kuptimin e dhimbjes dhe me qëllimin që e ardhmja të mos riprodhojë shtazëri njerezore.
Mendja dhe gjykimi u tjetërsokan nga dhimbja. Dhimbja u bëka burim ndryshimi. Ndryshimi nuk ardhka falas…prandaj liria është kaq e shtrenjtë. Prandaj s’ta fal kush lirinë!
Përparim 1997

Comments

Anonymous said…
E bukur, por e dhibshme!

Dani
Den said…
I thought it was very emotional.A brilliant use of empathy is used in the piece!

Popular posts from this blog

E dua detin

Epitaf per vajzat

Epitaph for the girls